Akseleratori i startupeve Uplift Western Balkans hapi zyrtarisht programin e akselerimit më 22 Tetor ku 12 startupet nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut që u shpallën fitues të sfidës Selection Bootcamp nisën rrugëtimin e tyre 4 mujor.

Edicioni i tretë i Uplift ftoi startupet nga Ballkani Perëndimor të aplikojnë deri më 24 Shtator. Me një format të zgjeruar, Uplift Western Balkans erdhi në vitin e tij të tretë përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes SOVVA, ICTSmedia, VentureUP, ICAN dhe mbështetjes financiare të SlovakAid.

Muaji Tetor solli tre bootkampe paralele në Tiranë, Prishtinë dhe Gostivar për përzgjedhjen e startupeve që do të bëheshin pjesë e programit

“Roadmap to Uplift” ishte workshopi i parë i startupeve mbajtur me 22 Tetor. Filloi me prezantimin e detajeve të programit të Uplift dhe informacioneve të nevojshme që secili prej themeluesve duhet ti posedojë.

Startupet u takuan me trajnerët Igor Madzov, Sara Usinger, Ariol Sollaku, Dairida Metalia, Emel Visha, Blendina Cara dhe Denis Mani duke vendosur kështu synimet dhe objektivat e tyre gjatë programit.

Prezantimi perfekt ishte workshopi i datës 29 Tetor me Jules Banning. Startupet përmes këtij workshopi mësojnë sesi të tërheqin vëmendjen investitorëve duke i njohur ata me atë çfarë startupet ofrojnë.

 

Më 5 Nëntor ishte raundi i tretë i workshopeve me të ftuar Manuel Koelman nga Gjermania dhe Tal Catran nga Izraeli. Koelman është bashkëthemelues i PIRATE Global, një sipërmarrës serial dhe investitor engjëll. Pjesëmarrës edhe në edicionet e kaluara të Uplift, Tal Catran kësaj here udhëtoi drejt Tiranës. Ai është anëtar bordi i disa kompanive dhe startupeve teknologjike kryesisht në siguri kibernetike, IT, AdTech, retail etj.

Gjatë workshopeve të datës 5 Nëntor startupet mësuan rreth identifikimit të audiencës ndërsa takimi i zhvilluar në formë bisede me Catran u transmetua live në platformat e media sociale me pjesëmarrje të gjerë.

Takimet dhe workshopet në kuadër të programit të akselerimit të Uplift Western Balkans do të vijojnë më 12 Nëntor në “Breakfast with the founders” në Coolab Tirana. Në këtë eveniment do të marrin pjesë themelues startupesh dhe startupe pjesëmarrëse në edicionet e kaluara.

Programi i akselerimit i Uplift Western Balkans do të përmbyllet më 17 Janar në Demo Day, dita kur bëhet shpallja e fituesve të çmimeve të mëdha dhe shpërblimeve prej 5 deri në 10 mijë euro. Duke u bërë pjesë e akseleratorit më të madh të startupeve në Ballkanin Perëndimor, startupet kanë shansin të rrisin investime deri në 50 mijë euro, të takohen me investitorë, ekspertë dhe mentorë të shquar nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa.

Startupet gjatë programit mësojnë rreth fushave kyçe të biznesi si zhvillimi i modeleve, zhvillimi i produktit, strategji biznesi, strategji marketingu, ngritje financimi, menaxhim të burimeve njerëzore dhe financiare si dhe aspektet ligjore të të bërit biznes në Evropë.

Akseleratori i parë themeluar në Shqipëri gëzon një rrjet të gjerë partnerësh dhe mbështetësish si: Banka Credins, Albvision, EU for Innovation, SwissEP, Huawei, CIVITTA, Universiteti i Evropës Juglindore, Bashkia Tiranë, EY, ICTSlab dhe mbulimin mediatik të SCAN TV, Emerging Europe, Shqip.com, PCWorld Albanian, Business Magazine, GeekRoom dhe CIO.al