Më 18-19 Shkurt në kuadër të edicionit të dytë të akseleratorit rajonal të startupeve Uplift Albania mbahet në Tiranë një workshop i hapur i cili do të mbledhë së bashku përfaqësues nga ekosistemi i startupeve, kompanive të mëdha inovative të cilët janë vënë në kërkim të financimit.

Organizuar nga SOVVA, ICTSmedia dhe SlovakAid, workshopi interaktiv do të drejtohet nga 7 ekspertë nga CIVITTA dhe SOVVA të cilët do të ndajnë me 25 përfaqësuesit, eksperiencën e disa prej kompanive më të suksesshme në Evropën Qendrore për ti ndihmuar startupet të adresojnë sfidat me të cilat përballen në tërheqjen e financimeve.

Si të financoj biznesin tim? Çfarë kërkojnë investitorët? A është biznesi im joshës për investitorët engjëj dhe kapitalet sipërmarrëse? Si të jesh i suksesshëm kur aplikoni për financim publik për inovacionin? Cilat janë disa prej gabimeve që kompanitë bëjnë kur kërkojnë financim? Këto janë disa prej shumë pyetjeve që do të marrin përgjigje në workshopin e ditës së parë më 18 Shkurt.

Workshopi i ditës së dytë vë në fokus startupet, kompanitë, universitetet, organizatat hulumtuese dhe organizatat mbështetëse. Pjesëmarrësit e këtij workshopi do të njihen me disa prej mundësive në instrumentet dhe programet Evropiane të financimit në kërkim dhe inovacion për ata që aplikojnë nga Shqipëria.

Veçanërisht do të trajtohet programi Horizon Europe i financimit me një buxhet prej 95 miliardë dollarësh 2021-2027 për të mbështetur kërkimin dhe inovacionin në botë. Objektivi kryesor është që hulumtuesit dhe novatorët Shqiptarë të përfshihen në këto projekte.

Terezia Jacova, Matel Liptak, Michal Laco, Eva Simekova, Jaroslav Leitmann, Daniel Straka dhe Peter Beno janë ekspertët të cilët do të ndajnë eksperiencën e tyre disa vjeçare me pjesëmarrësit e këtij workshopit.

Për tu bërë pjesë e këtij workshopi regjistrohuni në këtë lidhje: https://zoom.us/webinar/register/WN_DcEegtMtToOMSeuKgQobUg

Axhenda 18 Shkurt

  • 14:00 – 14:15 Hyrje në ngritjen e financimeve nga Michal Laco dhe Eva Simekova
  • 14:15 – 14:45 Përzgjedhja e një strategjie për ngritjen e financimeve nga Michal Laco
  • 14:45 – 15:15 Si të shmangim gabimet e zakonshme të startupeve gjatë ngritjes së financimeve nga Terezia Jacova
  • 15:15 – 15:45 Çfarë kemi mësuar nga eksperienca e ngritjes së financimeve? (Historiku i Airtester që ngriti 750 mijë dollarë në 2020 nga Matej Liptak)
  • 16:15 – 17:00 Diskutime rreth mësimeve të nxjerra nga workshopi

Axhenda 19 Shkurt

  • 09:00 – 10:00 Prezantimi i Horizon Europe nga Daniel Straka
  • 10:10 – 11:00 Rregullat e pjesëmarrjes dhe financimit të projekteve nga Peter Beno
  • 11:10 – 12:00 Këshilla për përgatitjen e një projekti konkurrues nga Daniel Straka dhe Peter Beno

Kush janë ekspertët tanë?

Terezia Jacova është një menaxhere investimesh në Neulogy Ventures me një eksperiencë të gjerë në zhvillimin e kompanive në fazat e hershme dhe menaxhimin e portofolit. Ka shërbyer si mentore dhe anëtare juria në shumë evenimentet startupesh lokale

Matej Liptak është CEO dhe bashkëthemelues i Airlogy Labs, një kompani teknologjike që ofron mjete analizash për identifikimin e baktereve në arë dhe mbi sipërfaqe. Startupi i tij ngriti 750 mijë dollarë investime në 2020.

Michal Laco është Associate Partner dhe këshilltar i lartë në CIVITTA. Ai këshillon startupet teknologjike mbi modele biznesi, strategji tregu dhe ngritje investimesh.

Eva Simekova është CEO dhe Associate Partner në CIVITTA me 14 vite eksperiencë në financimin e projekteve inovative dhe SME. Ajo ka shërbyer si këshilltare për disa kompani dhe mbështetur strukturat e tyre ligjore, të biznesit dhe organizative.

Jaroslav Leitmann është menaxher projekti dhe këshilltar I lartë pranë CIVITTA. Ai këshillon startupet mbi mundësitë e rritjes dhe aksesin në financa.

Daniel Straka është drejtor ekzekutiv i SOVVA që prej 2017 me mbi 13 vite eksperiencë në promovim të hulumtimit dhe inovacionit në nivel kombëtar dhe Evropian.

Peter Beno ka 15 vite eksperiencë në përgatitjen e projekt propozimeve dhe implementimin e tyre. Në të kaluarën ai ka punuar si profesor universiteti në degën e menaxhim biznesit si dhe si NCP për çështjet ligjore dhe financiare në programet Horizon 2020 dhe Programme 7.