Ekzistojnë shumë faktorë që përcaktojnë të ardhmen e një startupi premtues ndërsa dy prej tyre janë që e bëjnë një startup të suksesshëm: këshilla e duhur dhe mentorshipi i mirë.

Akseleratori i parë ndërkombëtar i themeluar në Shqipëri për startupet më premtuese të mbarë rajonit përmbylli ditën e Shtunë 3 Tetor 2020 fazën e parë të aplikimeve dhe përzgjedhjes së startupeve që do të ndjekin programin 4-mujor të akselerimit.

40 startupe aplikuan deri më 25 Shtator tu bashkuar Uplift Albania dhe 20 prej tyre u ftuan në Selection Bootcamp për të prezantuar idenë e tyre përballë audiencës përbërë nga mentorë, ekspertë dhe investitorë të ekosistemit të inovacionit dhe startupeve nga Shqipëria, Rajoni dhe Evropa.

Në fund të evenimentit i cili vijoi përgjatë gjithë ditës, u përzgjodhën 12 startupe fituese të cilat i presin 4 muaj intensive me workshope, trajnime, mentorship, takime me investitorë potencialë në mënyrë që të ndërtojnë balancën e duhur mes ekspertizës teknike dhe njohurive të biznesit dhe transformuar të ardhmen e tyre.

Varg.io, FoodFilled, Neuroyouth, Wellnes+, Hermex, Maia, iNegotio, AlbBnb, Swipin, Crossplag, Udhë dhe Nutriprep ishin startupet që kaluan me sukses fazën e Selection Bootcamp.

Programi i akselerimit nis zyrtarisht me datën 5 Tetor ku çdo javë startupet do të ndjekin workshope të tematikave të ndryshme duke u njohur me principet themelore dhe praktikat më të mira që rrisin shanset e tyre të suksesit jo vetëm në Uplift Albania por edhe në botën e biznesit e startupeve në Shqipëri dhe më gjerë.

Krahas ekspertizës që Uplift Albania siguron për startupet që arrijnë të hyjnë në programit e akselerimit, startupi më i mirë shpërblehet me çmim prej 5,000-euro ndërsa secili prej tyre ka mundësi të rrisë investime deri në 50,000 euro falë rrjetit të gjerë të sponsorëve, partnerëve, investitorëve të Uplift Albania si ICTSmedia, SOVVA, SlovakAid, Vodafone Business, Raiffeisen Bank, Albvision, EU for Innovation, Swissep, Bashkia Tiranë, Ernst & Young Albania, Huawei dhe ICTSlab. Mbi 50 ekspertë dhe trajnerë do të asistojnë fazën e workshopet dhe trajnimeve.

Në vitin e dytë, Uplift Albania, një ngjarje simotër e Uplift në Sllovaki, është fryt i një bashkëpunimi të ngushtë mes shtëpisë botuese lider në fushën e teknologjisë dhe informacionit ICTSmedia dhe organizatës Sllovake SOVVA me mbështetjen financiare të SlovakAid.

Selection Bootcamp

Emocionet e Uplift Albania kulmojnë në veçanti gjatë dy ditëve: momentin kur përzgjidhet fituesi i programit të akselerimit Demo-Day dhe Selection Bootcamp kur bëhet përzgjedhja e startupeve të programit të akselerimit.

Axhenda e Selection Bootcamp filloi me Elevator Pitch ndjekur 180 minuta workshope: Lean Canvas with focus on problem validation; Investment dhe Piching and Pitch Deck.

Për 90 minuta startupet u asistuan secili prej tyre gjatë një faze mentorimi 1-n-1. Një përballje e fundit prej 90 minuta të tjera zuri vend pak përpara shpalljes së fituesve ku secili startupi pati shansin e një prezantimi final.

Selection Bootcamp nisi me fjalën përshëndetëse të bashkëthemeluesit të ICTSmedia, ICTSlab, ICT Awards dhe Uplift Albania z. Kushtrim Shala me fjalë inkurajuese jo vetëm startupet prezente por mbarë ekosistemin e startupeve, inovacionit dhe aktorët kryesorë.

I ftuar virtualisht në këtë moment të rëndësishëm të Uplift Albania ishte Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes z. Eduard Shalsi i cili tha se kohërat sfiduese që bota po kalon kanë hapur rrugë për mundësi të reja duke vënë theksin tek ligji i ri që pritet të aprovohet për startupet.

Drejtori ekzekutiv i SOVVA z. Daniel Straka e përshkroi Uplift Albania si një prej projekteve më të suksesshme që kompania e tij ka pasur jashtë vendit. Zj Jaqueline Jaspert nga EU for Innovation ndau disa mesazhe inspiruese për startupet dhe çfarë Uplift Albania ka rezervuar për ta duke e përshkruar si eksperiencë unike.

Swissep, programi Zviceran për zhvillimin e sipërmarrjes, është një prej partnerëve kryesorë të Uplift Albania. Menaxheri i saj për vendet e Evropës Juglindore kur përfshihet Shqipëria z. Jakob Modeer tha se objektivi i Swissep është që të mbështetin startupet e Ballkanit të bëhen konkurruese në rang global dhe Uplift Albania qëndron në një linjë me misionin e Swissep.

Zj. Agar Perez nga Vodafone Business tha sesa e rëndësishme është mbështetja e startupeve dhe inovacionit në Shqipëri. Ajo e përshkroi Uplift Albania si një moment reflektimi për startupe dhe inkurajoi të mos ndalojnë së ëndërruari.

Së fundi në fjalën e saj të rastit Zj. Alda Shehu nga Raifessein Bank tha se është në misionin e bankës mbështetja e startupeve dhe në veçanti nismave të tilla si Uplift Albania që kultivojnë mendësinë kreative dhe inovacion.

Gjatë Elevator Pitch 20 startupet prezantuan për 60 sekonda idenë ose startupin e tyre shoqëruar nga pyetje të ndryshme nga mentorët.

Lean Canvas with focus on problem validation ishte workshopi i parë i Selection Bootcamp udhëhequr nga konsulentja e biznesit Anila Golemi. Ky workshop ka për qëllim të ndihmojë startupet të artikulojnë idenë e tyre të biznesit dhe prezantimin e saj.

Workshopi i dytë Investment u drejtua nga Andrej Petrus. Gjatë këtij workshopi Petrus shpjegoi për startupet se çfarë janë në kërkim investitorët dhe tek cila startupe apo ide biznesi janë të gatshëm të investojnë. Llojet e investimeve, këshilla sesi të tërheqin investitorë zunë një pjesë të workshopit.

Në Workshopin Pitching and Pitch Deck drejtuar nga ekspertja Jules Banning startupet u njohën me këshilla sesi të prezantojnë idenë e tyre përballë ekspertëve, mentorëve, trajnerëve dhe investitorëve. Ajo shpjegoi llojet e prezantimeve nga One Sentence Pitch, në Elevator Pitch, Normal Pitch dhe Investors Deck.

Menjëherë pas workshopeve startupet vijuan me mentorim 1-n-1 i cili vijoi për 90 minuta me mentorët: Arjodita Mustali, Anila Golemi, Eneid Lika, Jeta Zagragja, Erjon Hazizi, Dritan Pecini, Dritan Musolli, Dairida Metalia, Emel Visha, Sara Usinger, Diana Xhumari, Tomas Penxa, Michal Laco, Lolita Ndoci, Arlind Haxhijaj, Erion Hajdaraj, Eneid Lika, Mentor Rexhepi, Jules Banning, dhe Andrej Petrus.

Selection Bootcamp u mbyll me prezantimin e fundit të startupeve pas mentorimit dhe workshopeve ku secili startupi mori 3 minuta prezantimi dhe 2 minuta pyetje për tu pasuar me shpalljen e fituesve dhe mbylljen e momentit të parë shumë të rëndësishëm të Uplift Albania.

Startupet e programit të dytë të akselerimit të Uplift Albania

Varg.io është një platformë finance, cloud computing, blockchain dhe net infrastructure vënë në shërbim të zhvilluesve. Me një ndërfaqe të thjeshtë, Varg.io ju ofron mundësi organizatave të krijojnë rrjete të vogla blockchain pa pasur njohuri në kodim.

FoodFilled sjell bashkë bizneset që kanë stok ushqimor tek konsumatorët fundorë të cilët kërkojnë ushqime cilësore me çmime të ulëta. Aplikacioni online Foodfilled shërben si një treg në kohë reale për ushqimet e disponueshme.

Neuroyouth është një softuer i krijuar për të trajnuar mendjen. Ai simulon funksionet e larta të trurit si kujtesën, gjuhën, arsyetimin abstrakt, zgjidhjen e problemeve dhe çdo gjë që ndihmon njeriun ë jetë sa më produktiv.

Wellnes+ ofron një ekosistem për klubet e gjimnastikës dhe fitnesit që duan të menaxhojnë rrjedhat e punës, të krijojnë komunitete klientësh dhe të kontrollojnë aksesin në hapësirat e tyre përmes uebsajteve të personalizuara.

Hermex është një platformë për krijimin e dyqaneve online. Me Hermex mund të krijojnë një dyqan me një klikim mjafton një e-mail, fjalëkalim, dhe emër dyqani.

Maia analizon dhe studion hendeqet që ekzistojnë në botën urbane. Konkretisht startupi merret me dizajnimin dhe prodhimin e produkteve inteligjente. Ato janë nga koshët inteligjentë tek ndenjëset inteligjente dhe frigoriferë modernë.

iNegotio ofron shërbimet prokurorimi dhe është zhvilluar në vetvete si mjet prokurorimi. Objektivi i startupit është të asistojë klientët duke krijuar vlerë për ta.

AlbBnb është krijuar mbi modelin e Airbnb, një platformë online rezervimi lokale ku njerëzit mund të fitojnë nga hapësira që posedojnë, guidat turistike apo ushqimore për një tarifë.

Swipin është aplikacion i cili synon të përmirësojë eksperiencën e blerjes dizajnuar për të afruar blerësin dhe shitësin me njëri-tjetirn. Me Swipin njerëzit mund të gjejnë lehtë produkte, oferta dhe risi nga dyqanet lokale dhe markat që dëshirojnë.

Crossplag është një teknologji edukative për të identifikimin e tesktit të një gjuhe. Analiza dhe krahasimi i tekstit bëhet përmes qasjes me një drejtim (English to English) dhe me shumë drejtime (English-German).

Udhë është një platformë e cila bashkon shoferët dhe pasagjerët të cilët kanë të njëjtin destinacion. Me një komunitet prej 14 mijë anëtarësh, platforma po rritet dita ditës.

Nutriprep, një platformë e cila ofron ushqime të gatshme dhe të përshtatura sipas nevojës së konsumatorit. Startupi është duke zhvilluar një softuer i cili gjeneron këto plane duke pasur në konsideratë specifikat individuale të secilit konsumator si pesha, gjatësia, aktiviteti ditor, objektivat e peshës dhe preferencat ushqimore.